Biblioteka Private “Gabriele e Gennaro Frega”
Ungra

Themeluar më 1959 nga Alfredo Frega, Biblioteka private për studime kalabro-arbëreshe “Gabriele e Gennaro Frega” e Ungrës, kushtuar dy juristëve të shquar të familjes Frega, shkrimet më të rëndësishme të të cilëve ruhen tek ajo, përmban më shumë se 2000 vëllime, ndërmjet tyre veprat e shkrimtarëve dhe studiuesve më të mëdhenj arbëresh (De Rada e Dorsa), me publikime që fillojnë nga gjuhësia e letërsia deri tek historia.
I pasur është edhe sektori që i përket Kishës bizantino-katolike dhe asaj të pakicës etniko-gjuhësore jo vetëm të Italisë, por edhe të Evropës; konkretisht, edhe, në publikimet e botuara në Shqipëri. Një sektor tjetër me rëndësi është ai që i kushtohet Kalabrisë dhe në veçanti historisë së saj. Biblioteka përmban edhe një sektor audio dhe video të përbërë nga kaseta, bobina, cd-rom, dvd dhe vhs të cilat i përkasin Shqipërisë, Kalabrisë, grekëve të Kalabrisë, pakicave gjuhësore dhe gjithçka që lidhet ngushtë me praninë arbëreshe në krahinën e Kozencës.